Qeveria të sqarojë çështjen Pacolli

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thumbuar Kryeministrin në detyrë Albin Kurti i cili në mbledhjen e fundit të qeverisë tha se do të jetë Kryeministër edhe në të ardhmen.

Thaçi ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të punojë pa presion, pasi siç u shpreh ai askush nuk mund ta izoloj shtetin.

“Askush nuk ka të drejtë të pretendojë të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit. Është shumë e rëndësishme që të mos ketë presione, të mos ketë paragjykime, kërcënime e në asnjë rrethanë demonstrime në këtë kohë të pandemisë e që bie në kundërshtim me këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë”.

Thaçi ka kërkuar përgjegjësi nga qeveria në detyrë për siç tha ai sulmin e mundshëm ndaj kreut të AKR-së Behgjet Pacolli kur kthehej nga Zvicra në Kosovë.

“Mendoj se grupi i Kurtit, Sveclës dhe Vitisë duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës për zotin Pacolli që i kanosej gjatë fluturimit dhe pse ka devijuar ai në drejtim të Tiranës”.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe i Punëve të Brendshme Xhelal Svecla, përgjegjësi për siç tha, shtytjen në vetëvrasje javë më parë të të riut nga Gjilani i cili ndodhej në karantinë në qendrën e studentëve.

Tv Klan