Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, theksoi se në rast nevoje, institucionet duhet të jenë të gatshme që menjëherë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Ai ka shprehur ngushëllime për viktimën e parë nga koronavirusi në Kosovë.

Thaçi tha se qytetarët duhet të zbatojnë masat e vendosura dhe të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të mos përhapet virusi.

Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, tha ai.

Thaçi kërkesën për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme e kishte bërë edhe më herët pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë gjë që ishte refuzuar nga kryeministri Albin Kurti.

Në Kosovë të dielën është shënuar viktima e parë nga koronavirusi. Deri më tash, 31 persona janë të prekur nga ky virus. Edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha të dielën se ka kërkuar masa shtesë nga qeveria për mbrojtjen e shëndetit publik. /REL