Hashim Thaçi nuk i ka pritur mirë thirrjet nga Tirana që klasa politike e Kosovës të unifikojë qëndrimin për çështjen e dialogut me Serbinë, të përforcuara pas takimeve që kryeparlamentari Veseli pati me faktorët politikë në Shqipëri.

“Janë konsultime të nevojshme, kanë qenë konsultime permanente tash e tri dekada me autoritetet në Shqipëri, por ne jemi dy vende sovrane dhe vendimmarrja i takon Prishtinës në fund. Sikurse ne nuk po pretendojmë të involvohemi në debatin e tyre për çështjen e detit me Greqinë, është vendim i tyre, po ashtu marrëveshja Kosovë- Serbi është vendim i yni”.

Thaçi nuk i kurseu polemikat në distancë, kur u pyet për qëndrimin e klasës politike shqiptare kundër idesë së korrigjimit të kufirit.

“Çdo ngjyrim partiak apo pretendues për pështjellime politike do jetë kategorikisht i refuzuar, prej kujtdo qoftë. Nuk mund të flasë për patriotizëm, dikush që ka folur më herët që për Kosovën mjafton hapësira demokratike në kuadër të Serbisë, apo autonomi në kuadër të Serbisë”.

Presidenti kosovar theksoi se Prishtina zyrtare ëshë një faktor i rëndësishëm e i paneglizhueshëm, në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve.

“E sotmja dhe e ardhmja e marrdhënieve shqiptaro-serbe kalon përmes Prishtinës kah Tirana dhe jo siç pretendon Beogradi, përmes Tiranës kah Prishtina”. 

Thaçi përsëriti qasjen e tij se marrëveshja historike me Serbinë dhe njohja reciproke, do të rriste stabilitetin në rajon.

Tv Klan