Ish zyrtarët e lartë amerikanë, janë të pranishëm në ceremoninë me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij falënderoi të gjithë të pranishmit dhe tha se  sot shënohet ditëlindja e lirisë së Kosovës.

“Dua në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 Qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës. Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz. Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës. Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë”.

Kreu i shtetit të Kosovës, deklaroi se bota e qytetëruar ishte me Kosovën për ta ndryshuar atë.

“Bota e Qytetëruar ishte së bashku me ne. Ishte për ta ndryshuar me themel vendin tonë, në të gjitha aspektet e mundshme. Për ta ndërtuar një Kosovë të re, në të gjitha dimensionet.Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë. Mbajtëm me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror”.

Fjala e plotë e Hashim Thaçit

Dua në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 Qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës. Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz. Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës. Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë. 12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit. Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë. Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës: – atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli, – atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet. Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm. Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999. Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm! Edhe sot, si President i Kosovës, ju them sërish, me sinqeritetin dhe përulësinë më të madhe:

Ju faleminderit! Edhe pas përfundimit të luftës dhe sigurimit të paqes edhe nga 50 mijë trupa të Aleancës Veriatlantike, Bota e Qytetëruar ishte së bashku me ne. Ishte për ta ndryshuar me themel vendin tonë, në të gjitha aspektet e mundshme. Për ta ndërtuar një Kosovë të re, në të gjitha dimensionet.

Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë. Mbajtëm me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror. U mësuam t’i respektojmë të drejtat e të gjitha pakicave dhe t’i mbrojmë të drejtat e njeriut. Krijuam ekonominë e tregut të lirë. Mundësuam investime nga jashtë. U stabilizuam si shoqëri. I bëmë hapat e parë drejt procesit të integrimit euroatlantik. Dhe më në fund, në respektim të vullnetit të popullit të Kosovës për ta bërë shtetin e vet, me gatishmëri për t’i gjetur zgjidhjet më të mira për akomodimin e të gjitha nevojave të komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë, ne shpallëm Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu. Secili politikan i Kosovës, secili qytetar i saj, nuk ka as më të voglin dyshim se çka jemi ne si popull apo cili është identiteti ynë suprem. Ne jemi evropianë dhe duam të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi perëndimorë dhe duam të jemi shtet anëtar i Paktit NATO.