Presidenti: Ke 48 orë kohë. VV: Nuk mund të vendosë afate

E refuzoi tre herë për t’u takuar. Por as herën e katërt, kur edhe pranoi të zhvillojë takim me Presidentin Hashim Thaçi, kreu i LVV-së Albin Kurti nuk ia dërgoi emrin e mandatarit për të udhëhequr qeverinë.

Ndonëse takim i ftohtë dhe i shkurtër, madje nuk pati as shtrëngim duarsh kur iu kërkua nga mediat, Kurti i ka thënë Thaçit se do t’ia dorëzojë emrin e mandatarit me shkresë zyrtare, pas mbledhjes së kryesisë së partisë.

Por nuk vonoi shumë dhe nëpërmjet një statusi në Facebook, Presidenti njoftoi se i ka dhënë 48 orë afat shtesë Kurtit, për t’ia dorëzuar emrin e mandatarit.

“Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, shkruajti Thaçi.

Por sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, thotë se Presidenti në takim nuk e ka përmendur kufizimin kohor, e aq më pak afatin prej 48 orëve. Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ky kufizim kohor nuk ka bazë kushtetuese.

Negociatat LVV-LDK janë ngrirë pas seancës së 26 Dhjetorit, ku kryetar i Kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca, ndonëse me draft-marrëveshjen LVV-LDK ky post do t’i takonte LDK-së. Ndonëse negociatat ndërmjet këtyre dy partive do të rifillojnë, çdo marrëveshje e mëparshme ka rënë në ujë. Por kreu i LVV-së nuk tregoi se çfarë do t’i ofrojë LDK-së në këmbim të postit të kryeparlamentarit.

Gjatë ditës, LDK-ja ka mbledhur fillimisht Grupin Parlamentar e më pas kryesinë e partisë për të qartësuar veprimet e mëtutjeshme, karshi negociatave me LVV-në.

Ndërsa Kurti para takimit me Presidentin ka publikuar emrat e zëvendëskryeministrit të dytë nga partia e tij dhe 5 ministrave, duke e sfiduar LDK-në të bëjnë të njëjtën gjë.

Tv Klan