Nuk ka ende marrëveshje mes LVV e LDK për qeverinë e re

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar një letër tjetër kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Thaçi ka kërkuar nga Kurti që sa më parë t’i dërgohet emri i mandatarit për formimin e qeverisë.

Madje, në të citohet edhe një pikë e aktgjykimit të Kushtetueses, duke aluduar se kur partia fituese nuk dërgon emrin e mandatarit, mund të konsiderohet si refuzim.

“Duhet pasur parasysh edhe pika 87 e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vëren ‘se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzoj të marrë mandatin’. Në cilin do rast, të pranimit ose refuzimit të propozimit të kandidatit apo kandidates për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejt, sipas premtimit tuaj nga takimi ynë, në mënyrë që unë të ndërmarrë hapat e përcaktuar me Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin ose kandidaten për kryeministër për të formuar qeverinë e Kosovës”.

Ndërkohë pas takimit të djeshëm ndërmjet krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të dyja partitë janë hermetizuar për gazetarët. Mësohet se opsione të reja të ndarjes së pushtetit tashmë janë në tavolinën e bisedimeve. Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës durim duke thënë se vendimet duhet të jenë të matura.

“Në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta. Dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili ka marrë pjesë në krijimin e dy qeverive, thotë se negociatat për një gjë të tillë nuk janë të lehta. Ai megjithatë përgjegjëse për krijimin e qeverisë dhe zvarritjen e saj e konsideron partinë fituese.

“Në sistemin tonë parlamentar partia fituese është përgjegjëse për krijimin e qeverisë. Unë kam marrë pjesë në krijimin e dy qeverive dhe bisedimet nuk kanë qenë të lehta. Ne nuk mund të kërkojmë takim as me Kurtin e as me LDK-në. Unë nuk jam pjesë e asnjë diskutimi”.

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë, ndërkohë negociatat ndërmjet LVV-se e LDK-së për formimin e qeverisë ende po vazhdojnë dhe deri më tani pa rezultat.

Tv Klan