Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj e ngritën zërin në samitin e Berlinit ku kërkuan që Bashkimi Europian të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Duke e cilësuar këtë një realitet të hidhur, Presidenti i Kosovës tha përmes Facebookut se kishte kërkuar ndihmën e Gjermanisë dhe Francës në samit për të nxitur unionin në përmbushjen e këtij premtimi, sikurse edhe për njohjen e pavarësisë nga Serbia e Bosnja.

“Pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi t’a marrin lidershipin për këto vendime të guximshme. Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë”, tha Thaçi.

Në të njëjtën linjë ishte edhe kryeministri Haradinaj, i cili kërkoi nga Serbia të njohë Kosovën shtet të pavarur.

Në nisje të samitit të Berlinit, dy liderët kosovarë shtrënguan duart me organizatorët, kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Macron. Siç shihet dhe nga pamjet, takimi me Haradinaj ishte më i gjatë dhe më i ngrohtë, ndryshe nga ai me Presidentin Thaçi.

Para mbërritjes në ndërtesën e kancelarisë, Thaçi e Haradinaj zhvilluan një takim me ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell. Në komentin e tyre në rrjetet sociale para takimit ata thanë se koordiminimi me Shtetet e Bashkuara është një faktor i rëndësishëm në dialogun me Serbinë.

Tv Klan