Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë dhe për arritjen e një marrëveshjeje, gjithëpërfshirëse dhe balancuese. Sipas presidentit Thaçi, marrëveshja eventuale me Serbinë, do të jetë në interes të paqes.

Ai shprehu besimin e tij se një marrëveshje me Serbinë është e mundshme.

“Ne do të punojmë shumë seriozisht si Kosovë, duke iu përgjigjur nevoja të vendit për fqinjësi të mirë, që në muajt në vijim të ndodh dialogu me Serbinë dhe të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që Kosova ta fitojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësim në OKB

”, tha Thaçi gjatë konferencës të fundvitit.

Sipas Thaçit, me arritjen e marrëveshjes, Kosova do të fitojë njohjen nga Serbia si dhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën.

Por, Thaçi përmendi edhe pasojat me të cilat do të përballet Kosova, nëse marrëveshja nuk arrihet.

“Kosova e fiton njohjen nga Serbia, e fiton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian – nëse arrihet marrëveshja dhe unë shpresoj që do të arrihet dhe besoj në këtë drejtim. E fiton njohjen globale sepse do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe e fiton vendin e sigurt për NATO dhe BE”.

“Çka nëse nuk arrin marrëveshje me fajin e vet? E fiton një izolim të plotë ndërkombëtar, regres, papunësi edhe një gjendje që nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Prandaj, asnjë lider i vendit nuk guxon që të mbajë peng të drejtën e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirën e qytetarëve që të lëvizet sa më shpjet drejt së ardhmes evropiane”

, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi sërish përsëriti qëndrimin e tij se ai dëshiron që Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohen territorit të Kosovës.

“Unë mbështes në plotni të drejtat kombëtare të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Në muajt në vijim shpresoj në zyrtarizimin e të drejtës së tyre për bashkëngjitje me Kosovën”

, u shpreh Thaçi.

Thaçi ftoi të gjithë t’i bashkohen procesit të dialogut me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe në fund të arrihet marrëveshja, e cila, sipas presidentit, ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pas letrës së presidentit (Donald) Trump gjithçka është e qartë. SHBA-ja ka mbështetje të plotë, një mbështetje që ka ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga njeriu numër një, njeriu më i fuqishëm në botë, presidenti i SHBA-së. Nuk ka më dilemë a e mbështetë SHBA-ja këtë proces. Përkundrazi, e theksoj, uroj që të jemi të bekuar që kjo marrëveshje të bekohet nga presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë”,

tha Thaçi.

Duke komentuar deklaratat e homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq se dialogu në Bruskel nuk mund të rinisë pa heqjen e taksës doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve serbe, presidenti Thaçi tha se kushtëzimet nuk mund të jenë në favor të askujt.

“As Kosova nuk duhet ta vështirësojë fillimin e dialogut, e as Serbia nuk duhet ta kushtëzojë fillimin e dialogut”

, tha Thaçi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike e më pas edhe në nivelin politik. Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson këtë proces, ka kërkuar nga palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila pos tjerash, do t’u hapë e integrimeve evropiane, të dyja shteteve.

/REL