Kjo është ftesa zyrtare që presidenti kosovar Hashim Thaçi ka marrë nga homologu i tij francez Emanuel Makron për të qenë pjesë e ceremonive të 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore.

Pjesëmarrjen në ceremonitë që do të organizohen më 11 Nëntor e konfirmoi pak ditë më parë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Përmes kësaj ftese, Emanuel Makron synon të jetë organizator i një takimi mes udhëheqësve të dy vendeve ballkanike që i ndan një kaluar e gjatë konfliktuale.

“Përtej përkujtimit, kjo është një mundësi për të reflektuar rreth rendit të sotëm botëror dhe përgjegjësisë tonë kolektive për forcimin e paqes botërore dhe qeverisjes, duke pasur parasysh mësimet e nxjerra nga Lufta e Parë Botërore”.

Takimi synon të fusë në një fazë të re dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku temë kryesore këtë herë do të jetë rishikimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohja reciproke mes dy vendeve. Presidenti kosovar synon të shtrojë për diskutim edhe bashkangjitjen e luginës së Preshevës me Kosovën, çka refuzohet kategorikisht nga kreu i shtetit serb.

Tv Klan