Një ditë përpara takimit me Aleksandër Vuçiç në Bruksel, Hashim Thaçi ritheksoi momentin historik përballë së cilit ndodhet Kosova, për zgjidhjen e konfliktit shekullor me Serbinë.

Hashim Thaçi, President i Kosovës:

Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta mbyllim kapitullin e luftës në mes Kosovës e Serbisë. Paqja e qëndrueshme në mes të Kosovës e Serbisë do të thotë edhe paqe e qëndrueshme në tërë rajonin e Evropës Juglindore.

Për Thaçin zgjatja e armiqësive do të thoshte zhytje në një konflikt të ngrirë për Kosovën.

Por nuk mendon kështu ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç. Duke i quajtur politikanët kosovare hipokritë, ai i akuzon për pengim të marrëveshjes.

Ivica Daçiç, Ministër i Jashtëm i Serbisë:

Aktualisht në Prishtinë udhëheq një agoni politike, që tregon se Prishtina është pengesa më e madhe në zgjidhjen e situatës, ata janë hipokritë. Nuk e di çfarë mund të presim nga takimi i nesërm.

Të mërkurën shefi i diplomacisë serbe e quajti prioritetin numër një të Beogradin Republikën Srpska në Bosnje, edhe më të rëndësishëm se çështja e Kosovës. Lidhur me një skenar të ngjashëm me Republikës Srpska, presidenti Thaçi tha se ai është më i rrezikshmi për Kosovën dhe nuk do ta pranojë kurrë.

Tv Klan