Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka komentuar daljen e pjesëtarëve serbë të FSK-së dhe deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë lidhur me qëndrimet ruse për Kosovën.

Sipas tij,  se qëndrimet e Rusisë janë të njohura dhe ato i janë theksuar edhe në takimin që kishte me Kryeministrin e Rusisë në Ankara, i cili gjithashtu ka theksuar se nëse Kosova dhe Serbia merren vesh mes veti, pozicioni rus do jetë në përputhshmëri me marrëveshjen tuaj të përbashkët.

“Nuk ka qenë ndonjë risi, ka qenë diçka që ka qenë e njohur dhe nuk mendoj që Rusia do të marrë një pozicion edhe më serb se pozicioni që e ka aktualisht Beogradi. Ne me arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizim, pajtim dhe njohje reciproke, i marrim çdo adut edhe kundërshtarëve të pavarësisë që të mos e frenojnë rrugëtimin tonë për anëtarësim në Bashkim Evropian, në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”

, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, sa i përket themelimit të Ushtrisë së Kosovës, Thaçi ka thënë se pavarësisht nga pengesat është mirë që Ministria edhe FSK-ja kanë marrë qëndrim të qartë, se ata që largohen nga FSK-ja, automatikisht largohen edhe nga ushtria e Kosovës, raporton KP,.

“Këtu nuk ka vend për të bërë shaka për t’u larguar apo për t’u kthyer. Është në vullnetin e njerëzve, pra në vullnetin krejt individual të tyre. Ne duam të themelojmë një ushtri profesionale, multietnike, të standardeve të NATO-s, prandaj asnjë organizim kundër ushtrisë së Kosovës, i motivuar me agjendë të qartë nga Beogradi, nuk do të mund ta frenojë të ardhmen euroatlantike të Kosovës, themelimin e ushtrisë dhe multietnicitetin e kësaj force të re të Kosovës. Është mirë që mbi 10% e përbërjes së FSK-së janë komunitete, rreth 5% janë serbë. Janë larguar 30-40, po integrohen gjithashtu 30-40 të tjerë dhe do të integrohen edhe shumë të tjerë. Do të jemi bashkë me ta dhe do ta ndërtojmë Kosovën bashkërisht, por asnjë agjendë e askujt nuk do të mund ta frenojë apo të vejë veto në këtë proces”,

ka thënë ai. /Klan Kosova