Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filloi të martën këshillimet me partitë politike për hapat e mëtjeshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe siç thuhet në një njoftim të zyrës së tij, mbetjes së Kosovës pa qeveri.

Sipas njoftimit gjatë ditës presidenti Thaçi ka takuar përfaqësuesit e dy partive të komuniteteve jo shumicë.

Njoftimi, citon presidentin Thaçi të ketë thënë se “tani shtrohet nevoja për hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive. Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”,thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit në të cilin paralajmërohen takimet e radhës me partitë tjera politike dhe përfaqësues të Komisionit të zgjedhjeve gjatë ditëve në vazhdim.

Presidenti i Kosovës tashmë i ka dy mundësi për mënyrën se si të vazhdohet më tutje; njëra që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit, apo caktimit të një mandatari të ri për kryeministër nga koalicioni i deritashëm qeverisës.

Por, partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ftoi për të martën pasdite një takim me partnerët e koalicionit për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar politike.

Në takim morën pjesë kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Alencës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, por jo edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli që më parë kishte refuzuar pjesëmarrjen në takim ndërsa e kishte cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të paramenduar dhe me kalkulime partiake.

Zoti Limaj tha pas takimit se takimi ishte këshillues dhe bëri thirrje që partitë politike të veprojnë menjëherë.

“Janë takime normale konsultative e pimë nga një kafe, më herët me kolegë biseduam për zhvillime si të ecim përpara besoj që është e qartë që vendi është në prag të zgjedhjeve dhe duhet sa më shpejtë t’i jepet epilog kësaj çështjeje”,tha zoti Limaj.

Zoti Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë. Zoti Haradinaj ka qenë ditëve të fundit më i zëshmi për të shkuar sa më shpejt në zgjedhje ndërsa është përballur me kritika të shumta për mbajtjen e takimeve dhe mbledhjes së qeverisë edhe pas dorëheqjes.

Për këtë çështje, zoti Haradinaj i dërgoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar situatën e krijuar pas dorëheqjes së tij sa i përket qeverisjes.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë./VOA