Presidenti kosovar Hashim Thaçi hodhi poshtë zërat se gjatë ceremonive të përkujtimit të 100-vjetorit të fundit të luftës së parë botërore në Paris, do të ketë edhe dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Thaçi konfirmoi se kishte marrë ftesë nga presidenti francez Emanuel Macron për të qenë pjesë e ceremonive më 11 nëntor.

Hashim Thaçi, president i Kosovës:

Atje nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi por do të jetë një mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës.  Kosova do të merr pjesë në nivel të barabartë sikur të tjerët. Është një mundësi shumë e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës, edhe prej vendeve dhe liderëve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Macron i dërgoi ftesë edhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili e konfirmoi pjesëmarrjen, si rrallë ndonjëherë në takimet ndërkombëtare të organizuara ku e përfaqësuar si shtet i pavarur është edhe Kosova. Vuçiç u shpreh i hapur për të dialoguar edhe në Paris për çështje si ajo e kufijve, që sipas tij duhen përcaktuar qartë.

Tv Klan