Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është adresuar ambasadorëve ndërkombëtarë në Kosovë, në lidhje me perspektivën e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi theksoi se është koha për arritjen e një marrëveshje historike në mes të dyja vendeve dhe se nuk ka kohë për kthim prapa.

Nuk mund të kthehemi prapa, sepse historia e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një histori tragjike. Nuk mund të qëndrojmë në vend apo të vendnumërojmë dhe as nuk kemi se çfarë të presim, sepse ngecja dhe pritja në zgjidhjen e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë është pikërisht thirrje për tensione, për destabilizim, për probleme të mëdha, jo vetëm në mes nesh, por edhe në mbarë rajonin”.

“Kosova si shtet, si politikë, si shoqëri, është lodhur nga ngecja në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Qoftë për shkak se Serbia interferon në punët e shtetit të Kosovës, qoftë për shkak se BE-ja nuk arriti ta krijojë konsensusin për ta njohur shtetin e Kosovës apo sepse shumëkush ka menduar që me kalimin e kohës, vetvetiu, gjërat në Kosovë dhe rreth Kosovës do të zgjidhen. Doli që ky mendim ishte krejtësisht i gabuar”

, tha Thaçi.

Thaçi shtoi se kjo marrëveshje do t’i hapte Kosovës rrugën e integrimit në BE dhe NATO, si dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.

Në adresim, presidenti ritheksoi çështjen e korrigjimit të kufijve, duke thënë se koha e luftërave dhe konflikteve mes të dyja vendeve ka kaluar.

Më tutje, ai tha se marrëveshja nuk do të ketë pasoja në karakterin shumëetnik të vendit dhe se Kosova do të ruaj trashëgiminë kulturore serbe që lidhet me pozitën e Kishës Ortodokse Serbe në vend.

Presidenti Thaçi vazhdon të mbështesë idenë e proklamuar që marrëveshja paqësore me Serbinë të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit. Ai ka deklaruar se marrëveshja nuk do të përfshijë “ndarje dhe as shkëmbim të territorit me Serbinë”, por sipas tij, mund të bëhet një korrigjim duke përfshirë brenda territorit të Kosovës komunat Preshevë, Bujanoc e Medvexhë./REL