Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur se Serbia do të njohë Pavarësinë e Kosovës, vetëm përmes procesit të korrigjimit të kufijve.

“Duhet të punojmë për një zgjidhje kreative ku të dy palëve do t’u plotësohen interesat. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e kufirit”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi garanton se korrigjimi i kufijve nuk cënon resurset shtetërore të Kosovës.

“Mendoj që do të ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Kosovës, duke mos i cënuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën”.

Kreu i shtetit kosovar nuk ka një përgjigje për mundësinë e shkëmbimit të jugut shqipfolës të Serbisë me veriun serbishtfolës të Kosovës.

“Unë nuk mund të përgjigjem në diçka që nuk më është kërkuar”.

Megjithatë një gjë është e sigurt, sipas Thaçit, që marrëveshja përfundimtare do të arrihet vetëm nëse Serbia pranon të njohë Kosovës si shtet të pavarur, çka garanton edhe njohjen ndërkombëtare të shtetit më të ri ballkanik.

Tv Klan