Thaçi: Parlamenti i Kosovës mblidhet më 26 Dhjetor

Thaçi: Parlamenti i Kosovës mblidhet më 26 Dhjetor

13:58 13/12/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndryshoi datën e mbledhjes së parë të Parlamentit të ri të Kosovës.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se “duke respektuar kërkesën e shumicës së partive politike që kanë siguruar vende në Kuvendin e Kosovës, me sqarimin se data 24 Dhjetor lidhet me pushimin për festën e Krishtlindjes, Presidenti Thaçi ka vendosur që mbledhjen e parë të legjislaturës së 7-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërrasë më datën 26 Dhjetor, në orën 15:00”.

Të mërkurën ai kishte vendosur që mbledhja të mbahej në orët e paradites së 24 Dhjetorit.

Mbledhja e parë do të mbahet në ditën e fundit afatit prej një muaji që filloi të numërohet më 27 Nëntor, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e votimeve, duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28, Partia Demokratike 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u takuan të mërkurën në përpjekje për të përmbyllur një marrëveshje për bashkëqeverisje. Por, pas atij takimi dhe edhe sot u tha se do të ketë takime të tjera për të arritur marrëveshje rreth koalicionit.

Megjithëse të dyja subjektet kanë arritur pajtim për programin qeverisës, ato po përballen me një ngërç për ndarjen e pushtetit dhe një nga çështjet kryesore është çështja e postit të presidentit të vendit, pasi që Lidhja Demokratike po kërkon që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të jetë edhe ky post dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Të dyja partitë kanë gjithsej 57 vende në parlamentin me 120 deputetë, ndërsa për ta miratuar formimin e qeverisë duhen së paku 61 vota. Për këtë ato llogarisin në votat e deputetëve të komuniteteve jo serbe. /VOA


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi