“I ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve”

Albin Kurti është zyrtarisht Kryeministri i Kosovës.

Pas votimit të kabinetit të tij qeverisës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar Presidenti Hashim Thaçi.

Në një postim në profilin zyrtar të Facebook, ai shprehet se e mirëpret votimin dhe u bën thirrje që të fillojnë sa më shpejt punën për të përmbushur premtimet.

“E mirëpres votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e Qeverisë së re. Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore”.

Po në Facebook ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky i fundit shprehet se votimi i qeverisë së re është një lajm i mirë, ndërsa bëri më dije se dorëzimi i mandatit do të bëhet nga zëvendës kryeministri në detyrë Behgjet Pacolli, pasi Haradinaj ndodhet në Amerikë në një vizitë zyrtare.

“Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve. Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë.

Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.

Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e Zëvendës Kryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar.

Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë”. /tvklan.al