Presidenti dhe Kryeministri kërkuan dialog politik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri Avdullah Hoti ndajnë të njëjtin qëndrim se dialogu me Serbinë duhet të finalizohet me njohje reciproke mes dy vendeve.

Por sipas Thaçit, në një tavolinë ku nuk janë SHBA, nuk mund të ketë njohje reciproke.

“Është me interes që të ndodhë ky dialog, sepse vetëm me dialog, takime dhe fqinjësi të mirë, Kosova mund të lëviz drejt perspektivës evropiane. Por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë identitetin tonë. Ritheksoj se jam i bindur se kudo që  aty ku nuk janë SHBA-të nuk mund të ndodhë njohja reciproke. Andaj jetike për ne është që në tavolinë të jetë edhe SHBA, natyrisht edhe BE”.

Në të njëjtën linjë, dy krerët e shtetit nënvizuan se është e rëndësishme që procesi i dialogut të mos rrëshqasë në nivel teknik.

“Ne duhet të qartësojmë raportin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, të ndodhë njohja reciproke, dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbresë në nivel teknik sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik”.

“Do të kujdesemi të gjithë së bashku që dialogu në asnjë moment dialogu të mos rrëshkasë në nivel teknik, por ta mbajmë të fokusuar në objektivin tonë kryesor që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”.

Thaçi dhe Hoti theksuan se gjatë këtij takimi është folur edhe për tejkalimin e situatës me pandeminë COVID-19 si dhe për rimëkëmbjen ekonomike.

Tv Klan