Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar sot arrestimet e ditëve të fundit nga Prokuroria Speciale. Mediat në Kosovë bëjnë me dije se Presidenca ka nisur një njoftim për ta ku Thaçi shkruan se rrjedhja e dokumenteve të Speciales e ka cenuar legjitimitetin e kësaj gjykate dhe ka dëmtuar imazhin e Kosovës.

Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.

Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë”, shprehet Thaçi.

Më tej ai bën thirrje që Prokuroria e Gjykata Speciale t’i përmbahen ligjit dhe të mos bëjnë aksione spektakolare arrestimi.

Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakolare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet. E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik”, vijon reagimi i tij./tvklan.al