Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të kërkojë nga Qeveria që të rrisë pagat për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Tani pasi e themeluam Ushtrinë, të gjithë kemi një unanimitet të plotë të mbështetjes së Ushtrisë së Kosovës, të zhvillimit të saj, të punës së saj të mbarë, të realizimit të misionit të tyre. Unë kam vendosur si president i Kosovës, si komandant suprem t’i propozoj Qeverisë së Kosovës rritjen e pagave për ushtarët e FSK-së, që ushtarët, oficerët të kenë një jetë të dinjitetshme. Shpresoj se Qeveria do t’i përgjigjet kërkesës sime në mënyrë pozitive”,

tha presidenti Thaçi.

Këto komente, ai i bëri pas një dreke me pjesëtarët e FSK-së.

Presidenti Thaçi tha se Ushtria e Kosovës do t’i kontribuojë paqes kudo që kërkohet, duke shtuar se shpreson që shumë shpejt ushtarët e Kosovës të mund të marrin pjesë në misionet paqeruajtëse në botë.

Kuvendi i Kosovës më 14 Dhjetor ka miratuar tri ligje, të cilat mundësohet transformimi i FSK-së në Ushtri. Presidenti Thaçi tha se sapo të arrijnë këto ligje në presidencë, ai do t’i nënshkruajë ato./REL