Presidenti kosovar duket optimist për fazën e re, në të cilën sipas tij pritet të hyjë dialogu me Serbinë, siç u shpreh në një takim me përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Shpresoj dhe besoj që në ditët e ardhshme do kemi dinamikë të re të procesit dialogut Kosovë-Serbi. Ky dialog ka kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke dhe hapet perspektiva për Kosovën.”

Optimizmi vjen teksa presidenti francez Emanuel Makron ka ftuar Thaçin dhe Vuçiçin në një raund dialogu të ndërmjetësuar prej tij në Paris. Bisedimet do të zhvillohen teksa Franca do të përkujtojë më 11 Nëntor ditën e 100-vjetorit të ditës së armëpushimit që i dha fund luftës së parë botërore. Kreu i shtetit kosovar ende nuk ka komentuar ftesën, siç bëri Presidenti serb.

Megjithatë Thaçi këmbëngul se bashkangjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën do t’ia propozojë Presidentit serb. Vuçiç këtë e ka hedhur poshtë, por ajo që tashmë është konfirmuar është fakti që kryetemë e diskutimit të Parisit do të jenë kufijtë.

Tv Klan