Presidenti i Kosovës vijon seancën e marrjes në pyetje

Edhe në ditën e dytë, mbështetësit nuk i mungonin në portat e Gjykatës Speciale në Hagë edhe pse më të paktë në numër dhe me entuziazëm më të ulët. Hashim Thaçi u paraqit sërish këtë martë në seancën e marrjes në pyetje, pa bërë asnjë koment para gazetarëve të interesuar.

Edhe këtë të martë seanca zgjati plot 6 orë, por pas saj Thaçi nuk bëri deklarata për mediat. Mësohet se marrja në pyetje do të vazhdojë edhe të mërkurën. Procesi i rrallë i marrjes në pyetje të një Presidenti në detyrë nga një Gjykatë Speciale në Hagë zhvillohet teksa gjykatësve u duhet të vendosin, nëse do t’i pranojnë apo jo akt-akuzat e ngritura nga prokuroria speciale e Kosovës.

Vendimi duhet të merret brenda 6 muajve, ku duhet të përcaktohet nëse Thaçi do të paraqitet apo jo përpara Gjykatës Speciale të Kosovës. Presidenti ka paralajmëruar dorëheqje nëse akuzat konfirmohen.

Sëbashku me Kadri Veselin, kreun e PDK-së, Thaçi akuzohet për 100 vrasje të paligjshme gjatë luftës së Kosovës, krime kundër të burgosurve serbë, shqiptarë e nga komunitete të tjera etnike. Në raportin e Dick Martit ku bazohen këto akuza janë hedhur dyshime edhe për trafikimin e organeve të tyre, akuzat të cilat Thaçi i ka hedhur poshtë me përbuzje.

Tv Klan