Presidenti kosovar Hashim Thaçi shprehet se ka marrë mbështetjen amerikane për propozimin për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë nga Nju Jorku për RTK, Thaçi sqaron se SHBA mbështet një korrigjim të lehtë të kufirit me Serbinë.

Hashim Thaçi, president i Kosovës:

SHBA konfirmuan qartë dhe zyrtarisht se mbështesin edhe angazhimin që e kemi deklaruar që në rast të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë – Serbi që nënkupton njohjen reciproke, mund të përfshihet edhe demarkimi i kufirit apo korrigjimi i lehtë i kufijve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i shtetit kosovar konfirmoi se kishte pasur edhe një takim të shkurtër me presidentin amerikan Donald Tramp, i cili kishte shprehur mbështetje për Kosovën. Delegacioni kosovar, pjesë e të cilit janë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli u takuan edhe presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe anëtarë të kabinetit të tij qeveritar.

Delegacioni kosovar ndodhet në Nju Jork për të marrë mbështetje për Kosovën nga Uashingtoni dhe udhëheqësit botërorë të ndodhur atje për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Tv Klan