Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që të shfrytëzohet momentumi që në udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi.

Pasi iu refuzua kërkesa që të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në orën 16:00, pikërisht në atë kohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar hollësisht për vizitën e tij në SHBA.

Ka kritikuar BE-në, duke thënë se ajo nuk arriti t’i bindë 5 vendet anëtare të saj që ta njohin Kosovën, e lëre më ta bindin Serbinë për një gjë të tillë. Ndërsa kritikon edhe idenë që Mirosllav Lajcak të jetë i dërguar i BE-së në këtë dialog.

Presidenti Thaçi thotë se do të raportojë në Kuvend, pasi kryesia të caktojë datën e seancës në mënyrë më të detajuar, ndërsa pas festimeve të epopesë së UÇK-së do të takojë liderët partiakë, që të jenë unikë rreth kësaj çështje, siç thotë, vendimtare për Kosovën.

Ndërkohë Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar letër përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borreli dhe presidentes së Komisionit Evropian, të cilët i ka njoftuar për gatishmërinë për vazhdimin e dialogut dhe hapat që do të ndërmerren për heqjen graduale të tarifës ndaj produkteve serbe.

Tv Klan