PDSH-ja mbajti Kuvendin e Degës së Tetovës, ku kryetar të degës së Tetovës zgjodhi Driton Ibishin. Në këtë Kuvend u zyrtarizua edhe kandidatura e Prof. Sadi Bexheti për kreun e Komunës së Tetovës.

Propozimin e kryetarit Thaçi për t’i hyrë betejës për kryetar të Komunës së Tetovës e pranova, jo për motive personale. Unë, tashmë kam një karrierë të suksesshme në botën akademike dhe jo vetëm në të. Këtë sfidë e pranova vetëm dhe vetëm me një motiv: ashtu si të gjithë ju, dhe ashtu si të gjithë tetovarët e tjerë, edhe unë nuk mund të rrija indiferent ndaj këtij mosinteresimi, ndaj kësaj nëpërkëmbjeje dhe ndaj gjithë këtij shkatërrimi që, tani e tetë vjet, në vazhdimësi i bëhet qytetit tonë nga kryetarja aktuale dhe ekipi i saj”.

Duke folur për aktualitetin politik në vend, Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka komentuar edhe axhendën e gjelbërt që kohë më parë u bë publike nga BDI-ja.

“Ndotja e vërtetë e jetës së shqiptarëve në Tetovë ka ndodhur pas vitit 2002. Nëpërkëmbja e shqiptarëve në Tetovë ka ndodhur pas vitit 2002. Nëpërkëmbja e njerëzve në Tetovë ka ndodhur kur njerëzit që nuk kanë asgjë të përbashkët me Tetovën, e qeverisin Tetovën”.

“Nuk dua të jem dezertor“. Në këtë mënyrë kreu i PDSH-së i ka komentuar pohimet, siç tha, të kundërshtarëve politikë, përse ende qëndron në krye të kësaj partie.

“Unë jam betuar për këtë luftë dhe do ta vazhdoj këtë luftë. Edhe Alija dhe gjithë prodhimet e tij ta dijnë se unë prap do të zbres në fushëbetejën politike dhe bashkë me tetovarët do të dalim fitues. Kjo do të jetë nisja e këndelljes së vërtetë të Tetovës”.

PDSH-ja është e vetmja parti që deri më tani ka zyrtarizuar kandidaturën për kreun e Komunës së Tetovës për zgjedhjet lokale të së vjeshtës.

Klan Macedonia