Thaçi: Të formohet sa më shpejt qeveria e re e Kosovës


Thaçi: Të formohet sa më shpejt qeveria e re e Kosovës

10:57 29/05/2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që të formojnë sa më shpejt qeverinë e re pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që njohu mandatimin e kreut të shtetit për Avdullah Hotin si Kryeministër.

Në një deklaratë për mediat paraditen e kësaj të premteje, Thaçi u shpreh se ka respektuar Kushtetutën dhe këtë e provoi Gjykata Kushtetuese.

“Mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam ndërmarr që të jem në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Kjo u konfirmua dhe mbrëmë me vendim unanim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Më e rëndësishmja është se Kushtetuesja e konfirmoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë politik në vend. U konfirmua se vullneti i qytetarëve të përfaqësuar janë të gjitha partitë, jo vetëm vullneti i një partie. Tani duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. Prandaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive të zbatojnë të githa vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ftoj liderët institucional dhe partiakë të punojnë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt demokratik”, deklaroi Presidenti Thaçi.

Edhe i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se “mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re”. /tvklan.al



Të ngjashme