Liqeni i Fierzës ka arritur në nivelet më të ulëta të këtij viti, ndërsa është regjistruar kuota më e ulët e mesatares vjetore të 40 viteve të fundit.

Korporata Elektroenergjitike po mban të gjitha hiderocentralet e kaskadës së Drinit të stakuara prej 3 javësh, por kjo nuk ka arritur të shmangë tharjen e baseneve të digave.

Fierza ka zbritur në nivelin 269 metra, ndërsa prurjet vazhdojnë të jenë minimale. Thatësira e madhe ka bërë që KESH të arrijë të prodhojë energji të kufizuar, jo më shumë se 3 milion kilovat orë në ditë, e cila shërben vetëm për të kompnesuar nevojat e humbjes së saj në rrjetin e transmetimit, ndërsa nevojat e konsumatorëve po plotësohen me import.

Sikur të mos mjaftonte kjo, paratë për blerjen e energjisë nuk janë aktivizuar ende, pasi Banka Botërore nuk po jep miratimin për lëvrimin e kredisë 22.5 milion euro, pjesë e planit për rimëkëmbjen e këtij sektori.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, burime zyrtare të KESH thanë se janë në pritje të fondit nga dita në ditë dhe më pas do të nisin menjëherë procedurat për blerjen e energjisë.

Edhe për Gushtin, energjia u sigurua nga OSHEE, ndërsa për Shtatorin shpresat janë varur të fondi i Bankës Botërore.

Tv Klan