Situata e prodhimit të energjisë elektrike është në sasinë më të vogël të 10 viteve të fundit, ndërsa KESH e krahason atë me të njëjtin prodhim që ka patur gjatë krizës energjetike të vitit 2007. Koorporata njofton se që nga 1 korriku do të ulë në 3 milionë kilovat/orë në ditë prodhimin për nevojat e konsumatorëve, nga 14.5 që kërkohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë për shkak të thatësirës.

Nga ana e saj OSHEE ka filluar importin për ditët e fundit të qershorit dhe gjithë muajin korrik. Në total janë 16.3 milionë euro që do të shpenzohen për të plotësuar nevojat e furnizimit me energji të vendit, ndërsa çmimi i energjisë për megavat/orë është 57.2 euro. KESH ka kërkuar që importet të bëheshin më parë dhe jo në periudhën e verës në mënyrë që të sigurohej një çmim më i mirë, por kompania e shpërndarjes thotë se importet bëhen në fillim të muajit për të parë situatën nëse ka apo jo reshje dhe që shpenzimet të jenë më fleksibël. Thatësira pritet të vazhdojë deri në fund të muajit shtator.

Niveli i ujit në kaskadën e Drinit ka arritur në kuotat më të ulëta të 40 viteve të fundit. Situata e vështirë e prurjeve ka bërë që Fierza të arrijë 273 metra, ndërsa prurjet janë më të ulëtat të regjistruara në mesataren vjetore.

Sipas koorporatës elektroenergjetike shqiptare intensiteti i ujit në Fierzë ka zbritur nën 60% të mesatares shumëvjeçare, ndërsa për Vaun e Dejës ato janë më modestet duke shkuar në  5 m3/sek.

SITUATA HIDRIKE NE KASKADEN E DRINIT

                                Niveli (metra)       Prurjet (m3/s)

Fierza                      273.38                    45

Komani                   173.38                    18

Vau i Dejës               73.85                      5    

 

PRODHIMI I ENERGJISE

                            (milion kilovat orë)

Kërkesa e OSHEE      14.5

Qershor 2017                8

Korrik 2017                  3

TV KLAN