Është kombëtarja e dytë e pozicionuar më poshtë në renditjen e FIFA-s, gjithsesi, përfaqësuesja shqiptare është gati për të shkaktuar befasinë e madhe në kampionatin Europian. Të gjendur në një grup ferri si ai B, kuqezinjtë do të kërkojnë të bëjnë maksimumin për të prekur për herë të parë në histori fazën përtej grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm të kontinentit.

Përfaqësuesja jonë ka qenë edhe në fokusin e tabloidit “The Athletic” që i ka kushtuar një hapësirë të veçantë asaj që premton kombëtarja e trajnerit Sylvinho. Pikërisht, braziliani është arkitekti i suksesit të kuqezinjve, duke qenë edhe më i suksesshmi nën drejtimin e tyre.

Firma me Shqipërinë konsiderohet si më e logjikshmja nga “The Athletic” nga ana e 50-vjeçarit, pasi e udhëhoqi drejt vendit të parë në fazën e grupeve të një kompeticioni të madh, duke koleksionuar 6 fitore në 12 ndeshjet e para.

Jasir Asani është zbulimi i brazilianit, që e ka shndërruar kombëtaren në një makineri të vërtetë fituese dhe me pika të forta. Alternativat e shumta në repartet e fushës konsiderohen si shtysë e madhe për të tentuar historisë, me median e njohur që evidenton mbrojtjen e konsoliduar, por edhe kreativitetin e lojtarëve si Bajrami e Asllani që aktivizohen në elitën e futbollit italian.

“The Athletic” paralajmëron rivalët e grupit që nëse nënvlerësojnë Shqipërinë është një rrezik, pasi në sytë e Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, 90 minutëshi ndaj kuqezinjve cilësohen si “ndeshja që duhet ta fitojnë patjetër”. Pikë e dobët ka qenë efikasiteti në sulm, repart që Sylvinho sakrifikoi dhe la jashtë dy goleadorë si Sokol Cikalleshi e Myrto Uzuni, në total autor të 24 golave. 

Pesha kryesore në Euro2024 i është besuar Armando Brojës dhe Rey Manaj, por edhe alternativës Mirlind Daku. Emocionet e kampionatit Europian nga 14 Qershori deri më 14 Korrik do të vijnë ekskluzivisht në ekranin e TV Klan.

Klan News