Thellohen mospajtimet në Kosovë rreth “korrigjimit të kufijve”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se kryeministri i Kosovës duhet të jetë “më racional dhe më i përgjegjshëm në deklaratat për qëndrimet e tij lidhur me dialogun” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai u shfaq i rreptë në kritikat ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili më herët gjatë ditës tha se “u shpreh ngushëllimet e mia për këtë idenë e kufijve e të ndërrimit të territoreve, sepse mendoj që ka vdekur”.

Presidenti Thaçi, tha se dialogu nuk ka vdekur por është në një fazë të rëndësishme.

“Është deklaratë interesante edhe nga ana e kryeministrit. Kjo tregon se ose është në humor të mirë ose ndjehet tepër komod në karrigen e vet. Por të them të drejtën unë kam pritur nga kryeministri që të jetë më racional dhe i përgjegjshëm në deklaratat për qëndrimet e tij lidhur me dialogun. Një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra dhe tragjedi, por zhvillon përparësitë dhe angazhimet për reforma. Sido që të jetë kanë dështuar që të bëjnë një gjë të tillë sidomos në javët dhe muajt e fundit”.

Më herët kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se prekja e kufijve është “kthim në tragjeditë e së kaluarës”.

Ai i cilësoi deklaratat e kryeministrit si populiste, elektorale dhe pa përmbajtje.

“Jam i sigurt se kryeministri mund dhe ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij lidhur me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme euro-atlantike për Kosovën, as për NATO, as BE, dhe as njohje nga Serbia, sepse, tek e fundit, të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme. Kryeministrat dhe presidentët mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, siç janë ndërruar edhe më herët. Sidomos mund të ndërrohen shpejt ata në rast se nuk korrigjohen”, tha presidenti Thaçi.

Ka kohë që të dy udhëheqësit e institucioneve këmbejnë kritika për shkak të mospajtimeve rreth ideve për rrugët e normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht pasi që gjatë verës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje që mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Presidenti serb ditë më parë e shpalli të humbur politikën e tij të vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Presidenti Thaçi, po vazhdon të përsërisë idenë e tij për “korrigjimin e kufirit”, që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Ideja e tij nuk është përkrahur në Kosovë, ku edhe është protestuar kundër saj.

Javën e kaluar udhëheqësit e partive politike të koalicionit qeverisës në Kosovë, hartuan një projekt-rezolutë për siç thuhet, përmbylljen e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Teksti i projekt-rezolutës gjashtë pikëshe parasheh që, siç thuhet “dialogu të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht detyruese, përmes të cilit do të ndodhte njohja reciproke. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm dhe se kufijtë e saj janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.

Idetë për prekjen e kufijve reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.

Zyrtarët amerikanë kanë ritheksuar disa herë se “Shtetet e Bashkuara duan t’u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje “krijuese”, që do të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme, por në fund do të thonë fjalën e tyre.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, nëntë vjet pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.

Por, të dyja vendet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kushti kryesor për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian./VOA

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*














Emisione