7 të vdekur dhe 7 të zhdukur në Francë, Greqi dhe Itali

Përmbytjet kanë gjunjëzuar disa rajone të jugut të Europës. Numri i viktimave është thelluar në 7, po ashtu edhe ai i të zhdukurve. Bilancin më të rëndë e ka Franca, ku deri më tani 4 persona kanë humbur jetën. Një tjetër rezulton i zhdukur, teksa dalja e lumenjve nga shtrati ka pushtuar disa zona të banuara në Nisë e Marsejë.

Katastrofike situata është edhe në Greqi. Dy persona humbën jetën mëngjesin e kësaj të hëne në afërsi të Patrës, pas përmbysjes së një varke me vela pranë urës së madhe në Antirio.

Dëme nga përmytjet ka pasur e gjithë zona bregdetare, përfshirë edhe disa lagje të Athinës ku është dashur ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për të evakuuar banorët. Rrugët në shumë zona janë bllokuar si nga uji, ashtu edhe nga rrëshqitjet e tokës. Gjendja e emergjencës është shpallur në shumë zona që prej fundjavës.

Edhe Italia është përfshirë nga veriu në jug, nga përmbytjet që i kanë marrë jetën 1 gruaje. Të gjithë vëmendjen e ka marrë veçanërisht shembja e urës në autostradën Torino-Savona, një ngjarje që kaloi pa viktima, por që riktheu në vëmendje tragjedinë e urës së Xhenovas vitin e kaluar, duke ngjallur frikë për sigurinë e urave në gjithë vendin.

Tv Klan