“Presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi pa asnjë referencë kushtetuese apo ligjore”.

Këtyre akuzave të Kryeministrit Rama, se ka shkelur Kushtetutën në mosdekretimin e Ministrit të ri të Brendshëm, Presidenti Ilir Meta nuk vonoi t’u përgjigjet, menjëherë pas kthimit nga vizita në Itali. Gjuha e zgjedhur e thellon çarjen e krijuar mes tyre dhe leximi i ndryshëm që i bëjnë Kushtetutës, vazhdon t’i mbajë në llogore të dy drejtuesit e lartë të shtetit.

“Por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti

“.

Kryeministri dha shembuj në parlament se presidenti kishte gabuar në vendimin e tij. Por po me shembuj i përgjigjet edhe kreu i shtetit.

“Nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë, qoftë edhe e fshehur, nëpër rreshtat e atyre 12 kompetencave të shkuara, s’ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës, nuk do të kishte lënë pa e zbuluar”.

“A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë”.

Veç deklaratave, përplasja mes Ramës e Metës vijon edhe institucionalisht. Kryeministri i ka propozuar Presidentit paraditen e të premtes sërish Sandër Lleshin si Ministër të Brendshem.

Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri ka paralajmëruar se do t’i drejtohet të hënën Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë mosdekretimin e Ministrit të Brendshëm nga presidenti. Ndonëse kjo gjykatë është jashtë funksionit, Rama thotë se ajo mund të rivihet në punë brenda pranverës.

Por a do ta dekretojë Presidenti kërkesën e dytë për Sandër Lleshin? I pyetur për këtë, Meta foli për rëndësinë e bashkëpunimit në një forum që në fokus kishte të njëjtën temë, por pa lënë të kuptohet shumë për vendimin që do të marrë.

Forumi “Tirana Connectivity” i mbajtur sot ishte i mrekullueshëm dhe besoj se interkonektiviteti duhet të rrezatojë kudo”.

Beteja mes dy institucioneve vijon ndërkohë edhe në një front tjetër. Teksa Rama pret firmën për Sandër Lleshin, Meta pret votën e mazhorancës për Vitore Tushën, që e ka propozuar si Kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kryeministri e ka vlerësuar figurën e saj, por është shprehur se emërimi i saj në këtë post mund të dëmtojë Reformën në Drejtësi, pasi Tushe është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe largimi i saj nga ky këshill do të shtynte sërish funksionimin e këtij organi të ri kushtetuese.

Tv Klan