Thellohet përplasja mes presidentit të republikës dhe kryetares së parlamentit, përplasje që nisi në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Ku presidenti i republikës la të kuptohet, se parlamenti po vonon qëllimisht shqyrtimin e dekretit të kreut të shtetit për emërimin e 5 anëtarëve të gjykatës së lartë.

Blendi Fevziu: “A ju obligon ju një ligj i Gjykatës Kushtetuese në mos gaboj janari 2005 që të merrni parapëlqimin e parlamentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese?

Bamir Topi: “Absolutisht që jo, është neni 136 që flet në mënyrë shumë të qartë për ekskluzivitetin e dërgimit në parlament të dekreteve. Duhet të respektohet në mënyrë absolute procedura konstitucionale që dekreti i presidentit shkon, o fiton ose rrëzohet në parlament, por kurrsesi nuk mund të qëndrojë pezull, sepse krijohet një precedentë që është pa diskutim antikushtetues.”

Zëdhënësja e kryeparlamentares Topalli në konferencat e njëpasnjëshme hodhi poshtë këto deklarata të presidentit Topi. Por Topalli nuk është mjaftuar me kaq dhe sot në një dalje përpara mediave është përpjekur të shpjegojë kompetencat e këtyre dy institucioneve, atij të presidentit dhe parlamentit për këtë çështje. Kompetenca që burojnë nga një vendim i gjykatës kushtetuese sipas Topallit.

Jozefina Topalli: “Kjo Gjykatë Kushtetuese në thelbin e vet i jep meritën e emërimit Kuvendit, por në të njëjtën kohë thotë që institucioni i presidencës dhe institucioni i Kuvendit duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur konsensus. Dhe unë si përfaqësuese e Kuvendit jam tërësisht e gatshme, tërësisht e hapur në zbatim të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Por edhe për faktin se jam besimtare e dialogut, e koordinimit, e bashkërendimit të punës midis institucioneve për të gjetur konsensusin në këtë proces.”

Presidenti i republikës ka dekretuar në mesin e muajit maj 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë. Dekrete të cilat janë dërguar në parlament për shqyrtim, por që deri tani nuk janë futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka