Thellohet përplasja mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama për mosdekretimin e Genti Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm. Pas replikave të një dite më parë Meta e Rama kanë vijuar akuzat në distancë. Sot kreu i shtetit reagoi ashpër duke i kujtuar kryeministrit se me shantazhet ndaj presidentit ka bërë një gabim fatal.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

Kreu i shtetit thotë më tej se nuk do të lejojë asnjë përpjekje që pengon autoritetin kushtetues të presidentit dhe bie ndesh me interesin kombëtar.

“Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”

Nuk ka vonuar reagimi i kreut të qeverisë, i cili në një postim të shkurtër vë në diskutim jo vetëm seriozitetin e presidentit, por edhe legjitimitetin e vendimit të tij për Gent Cakajn.

“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktoresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani”.

Një ditë më parë kreu i shtetit refuzoi dekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm me argumentin se në vendimin e tij se Cakaj është shprehur kundër politikave të qeverisë shqiptare përsa i përket idesë së korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë.

Tv Klan