As 24 orë nga ngjarja tragjike, ku 29-vjeçari Demokrat Medinaj vrau me thikë bashkëshorten Irvana Hyka, u gjend i vetëvarur.

Medinaj u largua nga banesa menjëherë pas krimit, të cilin e kreu në sy të dy fëmijëve të mitur 6 dhe 4 vjeç. Ai u shpall në kërkim nga policia, por u gjend  në vendin e quajtur “Vija e Ngjalës”, pa shenja jete.

Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune.

Trupi i viktimës u transportuar në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar.

Ajo që e rëndon më shumë tragjedinë në familjen e re është fakti se 28-vjeçarja Irvana Hyka ishte edhe 6 javëshe shtatzënë. Sipas të dhënave të policisë bashkëshorti i saj e ka goditur 31 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Në shtëpinë e prindërve të saj, në Ferras të Fierit, u hapën dyert e mortit. Jashtë kamerave babai i Irvanës thotë se mes çiftit raportet ishin mjaft të mira. Këtë e konfirmon edhe xhaxhi i saj por edhe të afërm të tjerë të familjes para kamerave.

“Ata kanë qenë familje e mirë, të rregullt, nuk flasim dot për atë punë. Se çfarë ndodhi e çfarë nuk ndodhi ata e dinë vetë. As prindërit e tij nuk e dinë”, shprehen familjarët.

Pas ceremonive mortore të dy prindërve, ajo që mbetet shqetësuese është kujdestaria e dy fëmijëve të vegjël.

Klan News