Ren Zhengfei, themeluesi i gjigandit kinez të teknologjisë Huawei, thotë se qeveria amerikane po nënvlerëson aftësitë e kompanisë. Duke folur për median shtetërore kineze, Zhengfei shprehet se sanksionet e ndërmarra nga SHBA nuk do të mund të pengojnë zhvillimin e Huawei që të aplikojë teknologjinë 5G.

“Praktika aktuale e politikanëve të Shteteve të Bashkuara nënvlerëson forcën tonë”,

theksoi themeluesi i kompanisë.

Pak ditë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalon kompanitë amerikane të përdorin firma të huaja të telekomunikacionit që besohet se rrezikojnë sigurinë kombëtare të SHBA. Trump nuk përmendi emra specifikë të firmave të huaja, por është nënkuptuar si një goditje ndaj Huawei. Pas këtij urdhri, Google ndaloi përditësimet e sistemit operativ Android në aparatet Huawei.

Gjigandi kinez i teknologjisë ka qenë shkaku i luftës tregtare të muajve të fundit mes SHBA-së dhe Kinës. Nga ana tjetër, përdoruesit e aparateve Huawei janë të shqetësuar për këtë që po ndodh, pasi preken direkt nga sanksionet që vendosen ndaj kompanisë kineze.

/tvklan.al