28 vite më parë xhaxhai i Danielës ndërron jetë nga një aksident në Greqi. Ai la pas një vajzë 8 muajshe që quhej Gresilda. Pak kohë më pas e ëma e vajzës krijoi familje të re dhe që atëherë dy kushërirat nuk janë parë. Daniela dëshiron ta takojë për herë të parë pas 28 vitesh por edhe t’i plotësojë ëndrrën gjyshes që të shohë mbesën sa është gjallë.

Daniela: Unë rri në Bari të Italisë. Që në 2005-ën jam e martuar, jam nënë e 2 vajzave dhe sapo u martova, vajta të jetoja në Itali tek bashkëshorti im.

Ardit Gjebrea: Pse na ke thirrur deri këtu?

Daniela: Unë kam qenë një fëmijë shumë i lumtur, por papritur kjo lumturi u venit sepse në moshën 7-vjeçare unë humba babain tim. Babai ishte vetëm 33-vjeç dhe për ne ishte një dhimbje shumë e madh. Unë isha fëmija më i madh. Gjyshja ime nuk ka humbur vetëm babain tim, por edhe dy djem të tjerë.

Ardit Gjebrea: Pra, ti ke humbur dhe dy xhaxhallarë të tjerë?

Daniela: Po.

Ardit Gjebrea: Si ka qenë kjo histori?

Daniela: Në vitin 1994, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe xhaxhallarët e mi shkojnë në Greqi për një jetë më të mirë për të punuar. Xhaxhai im i madh, Shpëtimi duke shkuar në punë pëson një aksident dhe humb jetën. Xhaxhi Shpëtimi ishte 28 vjeç dhe kishte një martesë të lumtur dhe një vajzë 9-muajshe atëherë. Kaloi një vit dhe u nda nga jeta papritur babai im.

Ardit Gjebrea: Ishte edhe gjyshi gjallë?

Daniela: Po, gjyshi dhe gjyshja. Për ata ishte një dëshpërim i madh.

Ardit Gjebrea: Të humbësh dy djem është një dëshpërim i madh…

Daniela: Sidomos për gjyshen sepse ajo fillimisht kur ndërroi jetë xhaxhai e përjetoi jashtë mase keq. Qante ditë për dite dhe shkonte babai ta ngushëllonte. Kur humbi babain, qantë, thërriste babin dhe thoshte: Kush do të më ngushëllojë mua tani?!

Ardit Gjebrea: Ndërkohë nga jeta ka ikur dhe një djalë tjetër?

Daniela: Po. Gjërat rrjedhnin dhe xhaxhai im, Resmiu u sëmur nga depresioni dhe ndërroi jetë në spital në Elbasan.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë, ku jetojnë xhaxhai tjetër, hallat e tua?

Daniela: Xhaxhai që na ka mbetur jeton në Amerikë, një hallë ndodhet në Greqi, ndërsa të tjerat janë këtu. Njëra hallë kujdeset për gjyshen, halla që jeton në Lushnje. Gjyshja ime ka një peng. Kur xhaxhai Shpëtimi ndërroi jetë, nusja ishte shumë e re. Disa ditë më vonë, ajo u largua dhe filloi një jetë të re. Bashkë me të mori dhe vajzën, kushërirën time dhe që nga ajo ditë ne nuk e kemi parë më dhe gjyshja na thoshte gjithmonë: Sikur ta shikoj dhe njëherë dhe pastaj le të vdesë, thotë./tvklan.al