Një 25-vjeçar islandez, i cili goditi 4 herë me thikë në kraharor një të ri shqiptar, duke i marrë atij jetën dhe plagosi një tjetër, është njohur me akuzën e vrasjes dhe atë të tentativë vrasjeje.

Dagur Hoe Sigurjónsson përballet gjithashtu me pagesën e një dëmshpërblimi për familjen e të riut Klevis Sula, i cili ndërroi jetë Dhjetorin e vitit të shkuar.

20-vjeçari nga Çorovoda dhe shoku i tij u sulmuan nga Dagur në Austurvöllur, një zonë në kryeqytetin Reykjavík. Sipas raportit të policisë, Dagur e goditi Klesivin katër herë; një herë në zemër, më pas në shpatullën e djathtë dhe dy herë në shpinë. Ndërsa shokun e Klevisit e goditi 3 herë, në shpatull, krah e këmbë.

I riu shqiptar ndërroi jetë në spital disa ditë më vonë, për shkak të plagëve që kishte marrë.

Mediat islandeze shkruajnë se përveç akuzave për vrasje e tentativë vrasje, 25-vjeçari Dagur mund të paguajë gjithashtu një dëmshpërblim për prindërit e Klevisit, si dhe për shqiptarin tjetër që i shpëtoi sulmit.  

Vrasja e të riut shqiptar shkaktoi shumë zemëratë në publikun islandez dhe familjen e tij.

“Ai ishte i mrekullueshëm dhe donte t’i ndihmonte të gjithë. Fliste me superlativa për islandezët dhe i pëlqenin shumë njerëzit këtu”,

tha nëna e tij Natasha Sula, pak kohë pas sulmit fatal.

“Ishte shumë i lumtur që ndodhej këtu…”

, tha më tej nëna e të riut.

//tvklan.al