“Thikë pas shpine”, çfarë tentuan të bënin bashkëpunëtorët e Trump pas sulmit në Kongres



“Thikë pas shpine”, çfarë tentuan të bënin bashkëpunëtorët e Trump pas sulmit në Kongres

13:42 08/01/2021

Pas sulmit të Kongresit Amerikan nga mbështetës të Presidentit Donald Trump të mërkurën, demokratët bënë thirrje dhe kërkuan nga zv/Presidenti Mike Pence që të aktivizonte Amendamentin e 25, duke i dhënë mundësi që të shkarkonte Trump për paaftësi në kryerjen e detyrës dhe të merrte vetë rolin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Por Mike Pence nuk pranoi të bënte një gjë të tillë.

Por mediat amerikane kanë zbuluar se bashkëpunëtori më i afërt i Trump, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, e ka diskutuar këtë opsion.

CNBC raporton se Pompeo e diskutoi mundësinë e aktivizimit të Amendamentit 25 për të shkarkuar Trump atë ditë pasi përfunduan trazirat, së bashku me Sekretarin e Thesarit, Steve Mnuchin. Sipas CNBC, Pompeo dhe Mnuchin zhvilluan diskutime me ndihmësit dhe stafet e tyre respektive për këtë çështje.

Megjithatë, pas diskutimeve ata ranë dakord që aktivizimi i Amendamentit 25 nuk ishte mënyra e duhur, sipas burimeve të CNBC.

Ishin 3 arsye që i penguan Pompeo dhe Mnuchin të kërkonin aktivizimin e Amendamentit 25.

Së pari, do të duhej më shumë se 1 javë që të ndodhte, dhe në kushtet kur Trump është në detyrë edhe për 13 ditë, nuk ja vlente përpjekja.

Së dyti, ishte e paqartë kur 3 anëtarë të kabinetit që nuk ishin konfirmuar ende nga Senati, do të kishin mundësi të votonin.

Dhe së treti, ekzistonte mundësia që shkarkimi i Donald Trump përmes Amendamentit të 25 të përkeqësonte akoma më shumë situatën dhe të ngjallte zemërim në mesin e mbështetësve të Presidentit.

Pas publikimit të këtij lajmi, Departamenti i Shtetit e mohoi që të jetë bërë një diskutim i tillë, ndërsa Thesari nuk komentoi.

Disa senatorë demokratë dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i kërkuan zv/Presidentit amerikan Mike Pence që të aktivizonte Amendamentin e 25 për të shkarkuar Donald Trump nga detyra, përmes argumentimit të paaftësisë në detyrë.

Të mërkurën, mbështetësit e Presidentit u futën në ambientet e brendshme të Kongresit amerikan ku po zhvillohej seanca për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, të fituara nga Joe Biden. 5 persona mbetën të vrarë gjatë trazirave. Presidenti Trump bëri thirrje për qetësi, por vijoi të përsëriste pretendimet se zgjedhjet janë vjedhur.

Të nesërmen Kongresi arriti të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve. Ndërsa Trump reagoi sërish duke thënë se më 20 Janar do të garantojë një tranzicion të qetë të pushtetit tek Joe Biden. /tvklan.al






Të ngjashme