Një sherr mes dy vëllezërve çoi në plagosjen e njërit prej tyre këtë të diel në Pustec të Korçës. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40, në një lokal në fshatin Liqenas.

Dy vëllezërit Koçi Mitre, rreth 61 vjeç dhe Pali Mitre, rreth 59 vjeç, u përfshinë në një konflikt për motive të dobëta, që çoi deri në përdorimin e thikës nga ana e vëllait të madh.  

Vëllezërit Mitre mësohet se po pinin alkool dhe ishin ulur në tavolina të ndara, kur për arsye ende të paqarta u përfshinë fillimisht në debat. Pas kësaj Koçi Mitre nxori thikën dhe e goditi të vëllain duke i shkaktuar atij plagë të rënda.

I plagosuri u dërgua në spitalin e Korçës, ku dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia arrestoi vëllain e tij 61-vjeçar.

Burime nga spitali për Klan News thonë 59-vjeçari Pali Mitre momentalisht ndodhet në gjendje të stabilizuar, por po mbahet në kontroll në Reanimacion. Ai mësohet se ka marrë goditje në kraharor e në shpatull dhe ka pësuar hemorragji të brendshme./tvklan.al