“KLGJ-ja të vazhdojë punën për ngritjen e Gjykatës së Lartë”

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje për herë të fundit juristëve që të aplikojnë për vendin vakant për Gjykatën Kushtetuese. 1 ditë para afatit të paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, Meta u ka kërkuar që të mos hezitojnë pasi të jesh gjyqtar kushtetues është nder.

Për më tepër, Meta thotë se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë janë kushte kryesore për çeljen e negociatave.

“Emërimi si Gjykatës Kushtetues, është nder për personin që aplikon dhe një shërbim i madh për Shqipërinë, për ruajtjen e sovranitetit dhe demokracisë së vendit, dhe mbi të gjitha një hap i rëndësishëm për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë. Ripërtëritja dhe bërja plotësisht funksionale e Gjykatës Kushtetuese, por dhe e Gjykatës së Lartë janë kushte kryesore të çeljes së negociatave dhe plotësimi i këtyre kushteve kërkon jo vetëm angazhimin e të gjitha institucioneve të përfshira, por duhet të gjejë dhe mbështetjen e shoqërisë shqiptare e cila brenda saj ka plotë juristë me integritet që dëshirojnë të japin kontributin e tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm”, thotë Meta.

Presidenti shprehet se ripërtëritja e gjykatës Kushtetuese është jetike për Shqipërinë.

“Thirrja është e hapur deri në datën 14 Tetor, ndaj Presidenti i Republikës sot i fton të aplikojnë dhe të mos ndihen të frikësuar nga procesi i verifikimit që do të pasojë në KED”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Kreu i shtetit përsëriti thirrjen për KED-në që të përfundojë sa më parë shqyrtimin e kandidaturave për vendin vakant dhe të angazhohet me të gjitha kapacitetet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve dhe t’i propozojë Presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance. Një thirrje Presidenti e kishte edhe për KLGJ-në.

“Të punojë në mënyrë të pandreprerë në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, e cila jo vetëm që duhet të jetë plotësisht funksionale sa më shpejt për shqyrtimin e çështjeve të mbartura, por kjo Gjykatë është përgjegjëse për të emëruar dhe 3 anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese”.

“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë që gjatë shqyrtimit të çështjeve kjo trupë gjyqësore të mos hasë në asnjë pengesë proceduriale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetuese të ngritura nga palët”, përfundon deklarata e Metës. /tvklan.al