Këtë të martë tek “Historia ime” në Tv Klan ishte Mbarime Heshta, e cila rrëfeu kalvarin e vuajtjeve të motrës së saj, Yzejen Kovaçi, nga Vlora.

65-vjeçarja Yzejen Kovaçi është e verbër, por i duhet të kujdeset për bashkëshortin 70-vjeçar që vuan nga skleroza dhe djalin, të cilin pas operacionit që kreu në bark e braktisi gruaja, e cila i la edhe vajzën 4-vjeçare.

Sot familja me 4 anëtarë rrezikon të mbetet ne qiell te hapur pasi janë pa banesë dhe jetojnë vetëm me dy pensione dhe një kemp.

Dikur familja ka jetuar në një godinë që i kish futur shteti para demokracisë. Banorët bashkia e Vlorës i nxori nga godina me premtimin se aty do të ndërtohej një pallat dhe se do ju jepeshin shtëpi. Kjo gjë nuk ndodhi dhe prej atij viti familja e Yzejenit, motrës së Mbarimes jeton me qira. 5 vite mori bonos qiraje, 5 të tjera jo. Bashkia ia ka ndërprerë bonusin me preteksin se të dy bashkëshortët marrin pension, në fakt pensione që nuk u dalin as për të marrë ilaçet e jo me për të jetuar.

Mbarime Heshta: S’ka sqarime atje, ik nuk të takon. Dhe tek dera, nuk të lënë të futesh brenda në bashki. Tek shkallët, për ça ke ardhur? Për këtë, këtë. Ik nuk të takon, lexoje tek dera. Ke këtë numrin, komuniko me këtë.

Gazetarja Mirela Milori u bëri thirrje bashkive që të mos pranojnë kërkesa nga të pamundurit vetëm nga telefoni ose nga e-Albania, por të hapin edhe zyra pritjeje për ta.

Mirela Milori: Unë përsëri kam një komunikim me bashkitë: Ju lutem, hapni zyra pritjeje për njerëzit. Ka të pamundur, ka njerëz të moshuar, që nuk e kuptojnë dot internetin, nuk i kuptojnë ato pritjet e gjata në telefon. Hapni dyert për njerëzit, të vijnë dhe të qajnë hallet. Dhe vini njerëz që tua kuptojnë hallet, sepse ka 5 vjet zonja që paguan dhe nuk i jepet një shpjegim se përse ndryshoi regjimi nga bonusi i qirasë, pa bonus qiraje. Nuk ia jep njeri këtë përgjigje. Në telefon qëndron, mbase nuk di edhe të komunikojë qartë, ndaj 5 vjet të ikura, 5 vjet që paguhet një qira në një familje të pamundur. Nuk e kanë luksin njerëzit të shpenzojnë kohë, të shpenzojnë para, të mos kuptohen me vite, sepse gjithçka ka kaluar në telefon dhe në e-Albania. Vetëm kaq, këtë konkluzion kam nga një sezon televiziv tek”Historia ime”. Ju lutem vini përsëri një zyrë pritjeje. Kushdo që na dëgjon nga bashkitë do ta falënderoja shumë për mirëkuptimin në këto momente./tvklan.al