Thirrja urgjente për të shpëtuar 8-vjeçaren Xhesi nga paraliza


Thirrja urgjente për të shpëtuar 8-vjeçaren Xhesi nga paraliza

22:04 27/09/2020

“Historia e Fundjavës” një vëmendje të veçantë i kushtoi këtë të diel rastit të 8-vjeçares Xhesi, e cila ka ka lindur me skoliozë, një sëmundje që sjell deformimin e shtyllës kurrizore dhe që me kohën rëndohet duke i vënë jetën në rrezik. Kushtet e vështira ekonomike bëjnë që familja ta ketë të pamundur që ta operojë atë dhe e vetmja shpresë është një ndërhyrje kirurgjikale jashtë vendit. Në studio, neurokirurgu shpjegoi se nëse 8-vjeçarja nuk operohet, ajo do të paralizohet. Apeli i Mirela Milorit dhe Arbër Hajdarit ishte që kushdo që mundet, të kontribuojë sadopak, për t’i shpëtuar jetën kësaj vajze të vogël.

Mirela Milori: Xhesi është 8 vjeçe, deri kur ka kohë rritja e trupit?

Neurokirurgu: Koha është vështirë të thuhet. Kjo duhej kapur qëkur ishte 4 vjeç, kur kjo kurbaturë ka qenë më e vogël dhe rreziqet kanë qenë më të vogla. Sa më herët të trajtohet aq më i mirë është edhe rezultati që përfitojmë. Në këtë moment flitet që të ruajmë këmbët, të shpëtojmë funksionin. Nuk flitet që ta bëjmë të drejtë, apo siç tha vetë vajza të jetë e gjatë si motra e saj. Është tepër vonë për të menduar këto gjëra. Qëllimi është ta stabilizojmë këtu ku është, ta mbajmë kështu siç është, që shyqyr Zotit po kërcente dhe ishte njësoj si fëmijët e tjerë. Qëllimi është që sa më shpejt të arrihet, t’i ikë rrezikut.

Mirela Milori: Ndërhyrja është e vështirë?

Neurokirurgu: Ndërhyrja është e vështirë sepse ka disa komponentë. E para është mosha e vogël, e dyta është se kjo kurbaturë është shumë e madhe, si pasojë do të ketë nevojë për një instrumentim shumë të madh. Instrumentim quhen ato shtyllat metalike që ne do të detyrohemi të vendosim në kurriz për t’i dhënë mundësi kolonës që të mos shkojë më shtrembur. Por sa më e madhe është kjo kurbë, aq më të gjata duhet të jenë ato shtylla që ne vendosim. Aq plagë më e madhe do bëhet, aq më shumë rrezik është për të humbur gjak, apo halle të tjera të anestezisë që mund të ndodhin. Ndërsa nga ana funksionale, është rreziku i palcës. Pavarësisht se operacioni po bëhet për të shmangur dëmtimin e palcës, gjatë operacionit ekziston rreziku i dëmtimit të palcës. Sepse është një palcë në një pozicion totalisht jo të zakonshëm.

Mirela Milori: Megjithatë ne do të përpiqemi të bëjmë maksimumin. Arbër duhet ndërhyrje?

Arbër Hajdari: Patjetër, nuk ka mundësi tjetër përveç ndërhyrjes dhe kemi dalë në përfundimin që skolioza do të shkojë drejt ndërhyrjes. Sa më shpejt të bëhet aq më mirë është. Është një operacion i vështirë siç e tha dhe doktori. Ne kemi një eksperiencë tjetër me një rast me skoliozë. Operacioni ishte shumë i vështirë, por vajza sot është mirë. Jemi disi të frikësuar për rastin e Xhesit me thënë të drejtën, sepse vajza është e vogël. Synimi jonë është që vajza të bëhet mirë dhe që të bëhet mirë ka nevojë për këto para. Dhe ne do të bëjmë një ndërhyrje, që nuk e dimë sesi do të shkojmë.

Mirela Milori: Jo, jo se nuk e dimë sesi do të shkojë. Duhet të qartësojmë një gjë, që të mos i bëjmë njerëzit konfuzë. Është e vetmja mënyrë që Xhesit t’i japim një jetë normale. Kjo ndërhyrje duhet bërë, kjo ndërhyrje duhej bërë. Ju e thoni që duhej bërë me kohë. Jemi ende në kohë, të shpëtojmë Xhesin, mos të jetë në një perspektivë, ku ndoshta nuk komandon dot këmbët e saj. Ne do të bëjmë të pamundurën. Jemi duke mbledhur këto fonde Arbër. Jemi në fazën e mbi 8 mijë eurove, na duhen 17 mijë euro. Faturën e spitalit ne e kemi bërë prezente gjatë emisioneve tona. Por edhe tek linku i GoFundMe është edhe fatura e spitalit me të gjitha detajet, që ju jeni të bindur se përse po e ndihmojmë Xhesin. Unë jam besimplotë që gjithçka do të shkojë mirë./tvklan.al



Të ngjashme