Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, ndodhet sot në Prishtinë, nga ku dhe ka shpërndarë disa mesazhe për Kosovën.
Përmes një deklarate për shtyp, Kallas ka bërë thirrje që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të formohen sa më shpejt, raporton Klan Kosova. Ajo shpreson kështu për rritjen e stabilitetit të vendit me formimin e institucioneve, ndaj dhe dha mesazhin për bashkëpunimin e spektrit politik.
“Formimi i Parlamentit dhe Qeverisë së re është jetësore për stabilitetin, rritjen dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Inkurajoj të gjithë aktorët politik që të bashkëpunojnë mes tyre dhe me komunitetet që përfaqësohen në Kosovë. BE-ja është e gatshme t’ju mbështesë, por liderët politikë duhet t’i lënë anash dallimet dhe ta prioritizojnë të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Kallas.
Por përveçse kësaj, Kallas është shprehur me një lajm të mirë për Kosovën, duke njoftuar se Bashkimi Evropian ka nisur heqjen graduale të masave ndaj këtij shteti. Ajo sqaroi se heqja e plotë e këtyre masave kushtezohet me situatën në veri të vendit.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur heqjen graduale të masave të vendosura në qershorin e vitit 2023. Vendimi hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje më të forta me BE-në. Por, është i kushtëzuar me stabilizimin e situatës në veri. Mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri, cenon përpjekjet drejt normalizimit. Kosova ka bërë progres të dukshëm në forcimin e institucioneve demokratike viteve të fundit dhe misioni ynë i EULEX-it, vazhdon të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë. Por sërish, korniza aktuale politike dhe ngërçi po e frenon Kosovën”, cilësoi Kallas.
Kjo është hera e parë që Kaja Kallas viziton Kosovën, duke shënuar një rëndësi të veçantë për vendin. Kryediplomatja evropiane do të zhvillojë takime dhe me përfaqësues të partive politike e të shoqërisë civile. Vizita e saj do të pasojë dhe me takimin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë e me komandatin e KFOR-it. Pas Kosovës, Kallas do të qëndrojë në Shkup.
E pranishme në Samitin Politik Evropian, të mbajtur në Tiranë më 16 maj, Presidentja Vjosa Osmani i bëri thirrje unionit evropian që të lehtësohen masat ndaj Kosovës. Osmani u shpreh se Kosova është në rrugën e duhur për ndjekjen e politikave të jashtme dhe asaj të sigurisë. Ajo po kështu u shpreh se Bashkimi Evropian po i jep përparësi Serbisë, e cila bashkëpunon me Rusinë, sesa Kosovës.
Kështu, duket se thirrjet e Osmanit drejtuar Bashkimit Evropian nuk ranë në “vesh të shurdhër”, por janë dëgjuar dhe po ndërmerren hapat e para duke hequr gradualisht sanksionet.
/tvklan.al