Gjatë bisedës së tyre telefonike, liderët e Francës dhe Gjermanisë i kërkuan Vladimir Putin që të zhvillojë “negociatat e drejtpërdrejta serioze” me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron zhvilluan një bisedë 80 minutëshe me presidentin rus mëngjesin e sotëm. Dy liderët e BE-së “kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse”, tha zyra e kancelarit gjermane.

Macron dhe Scholz i kërkuan Putinit që të ketë “negociata serioze të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas dhe (të gjejë) një zgjidhje diplomatike për konfliktin”.

Këshilltari presidencial ukrainas dhe negociatori i bisedimeve të paqes Mykhailo Podolyak tha më herët se çdo marrëveshje me Rusinë nuk mund t’i besohet.

“Çdo marrëveshje me Rusinë nuk vlen asnjë qindarkë”, shkroi Podolyak në Telegram. “A është e mundur të negociosh me një vend që gënjen gjithmonë në mënyrë cinike dhe propagandistike?”

Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën pas ndërprerjes së bisedimeve të paqes. Negociatat e fundit ballë për ballë ishin më 29 Mars./tvklan.al