Përpara dërgimit të listave për kandidatë nga partitë në KQZ, ambasadorja e SHBAS-së në Tiranë, Yuri Kim bëri thirrje që të mos regjistrohej Tom Doshi. Megjithatë, kreu i PSD-së e dërgoi emrin dhe është i regjistruar për zgjedhjet e 25 Prillit. Për këtë çështje ka folur këtë të martë në studion e Opinion, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ai u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse në ndodh moment ka pasur dyzim që ta skualifikonte Doshin mbi bazën e këtyre deklaratave të Yuri Kim. Celibashi tha se KQZ ka vlerësuar të gjitha thirrjet e ardhura. Ai u shpreh se emri i Doshit është dërguar në Prokurori për verifikim të thelluar.

“Ne kemi vlerësuar me të gjithë seriozitetin e duhur, të gjitha thirrjet që kanë ardhur qoftë nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos më shumë prej tyre, por edhe nga faktorë të tjerë institucionalë dhe politikë në lidhje me procesin e verifikimit të kandidatëve. Ky është proces vazhdues. Në momentin ku ne kemi shqyrtuar atë dokumentacion që na është paraqitur kemi marrë vendimin që reflektohet edhe në përmbajtjen e fletës së votimit. Por ky është një proces që vazhdon”, tha Celibashi.

Janë 30 emra që ka dërguar KQZ për verifikim në prokurori. 28 prej tyre janë kandidatë partish dhe koalicionesh ndërsa 2 janë kandidatë të pavarur. KQZ-ja ka bërë në total verifikimin e 1836 kandidatëve të partive dhe koalicioneve dhe 5 kandidatëve të pavarur. Celibashi u shpreh se brenda KQZ-së është një ekip që merret me verifikimin e kandidatëve.

“Kemi bërë vlerësimin paraprak të 1836 kandidatëve të partive politike dhe koalicioneve dhe 5 kandidatëve të pavarur. Është një ekip një staf që punon në KQZ për këtë, mbi bazën e dokumenteve që prezantojnë partitë politike dhe koalicionet dhe vetë kandidatët. Nga shqyrtimi i këtij dokumentacioni kemi marrë indicie të paktën për një pjesë të madhe të këtyre 30 të themi. Për disa kemi marrë indicie edhe nga parti politike, media, apo siç është rasti i zotit Doshi. Ligji e parashikon këtë që të dhëna publike që i merr mund të shërbejnë si indicie për të kërkuar hetim të thelluar”, tha Celibashi.

Në rast se Prokuroria sjell emrin e ndonjë kandidati që e kap ligji i Dekriminalizimit, Celibashi u shpreh se ai do të humbë mandatin. Ai shtoi në studion e Opinion se deri më tani partitë politike i kanë respektuar rregullat në lidhje me këtë çështje./tvklan.al