Ilir Meta nuk ka asnjë shqetësim kur pyetet për thirrjet e Kryeministrit Edi Rama për ta hetuar. Presidenti tha se Ilir Meta ka dy armë të forta, të vërtetën dhe transparencën.

“I bën thirrje SPAK që të hetojë Metën, pa asnjë diskutim, shumë mirë bën që e bën këtë gjë, madje t’i çojë dhe pyetjet. Ilir Meta ka armët më të forta: e vërteta dhe transparenca. E keni parë ndonjëherë ju Ilir Metën t’i shmanget drejtësisë? Kurrë! Për një gjë dua ta siguroj: Pas 24 Korrikut është e sigurt që Ilir Meta, dhe jo vetëm, me qindra mijëra shqiptarë do shkojnë tek SPAK para gjykatësve me fakte dhe prova, jo deklarata politike, për gjithë mullarët e korrupsionit që lartësohen çdo ditë”, u shpreh kreu i shtetit.

Të njëjtin qëndrim presidenti Meta mbajti edhe për thirrjet e kryeministrit drejtuar po SPAK për ish-Kryeministrin Berisha: “Po kush i ka penguar”, shtoi ai.

Meta u pyet po ashtu se çfarë do të bëjë pas përfundimit të mandatit të Presidentit.

“Së pari pas 24 Korrikut, sigurisht që ka qëlluar ditë e hënë data 25, është ditë pune kështu që fillojmë një kapitull të ri me energji të pashtershme. Ajo që mund t’ju them sot është kjo që më 25 Korrik e tutje pesimizmi është kohë e humbur për çdo shqiptar. Ne e kemi kohën përpara. Ajo që shqiptarët presin është një lidership që mban fjalën. Ajo që shqiptarët presin është llogaridhënia e të gjithëve. Mua më bën përshtypje se përse ka frikë një kryeministër nga drejtësia vetë të cilën e ka kapur nga fyti”, u shpreh Meta./tvklan.al