Mjekët: Po mbajmë në ekuilibër daljet dhe hyrjet

Rreth 100 pacientë në gjendje të mesme dhe të rëndë po trajtohen në spitalin “Covid 1”, i ngritur në Shërbimin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në një intervistë për Televizionin Klan, mjekja infeksioniste Entela Ramosaço shprehet se kapaciteti është thuajse i plotë.

“Janë duke u ndjekur rreth 14 të sëmurë në repartin e terapisë që ne e quajmë subintensive dhe intensive. Gjatë 24 orëshit ne mundohemi të vendosim një ekuilibër midis numrit të pacientëve të cilët hospitalizohen dhe pacientëve të cilët shërohen.”

Koha e paraqitjes në spital është vendimtare dhe disa duket se mbërrijnë aty shumë vonë.

“Urgjenca Kombëtare 127 i sjellin në spital në kushtet kur ka filluar insuficensa respiratore dhe një pjesë e pacientëve të cilët janë më koshientë e njohin më mirë sëmundjen. Janë persona të riskuar edhe nga sëmundje të tjera vijnë edhe pak më herët.”

Ka ndryshuar apo jo virusi dhe agresiviteti i tij, kjo do të studiohet, por klinikisht është parë që ka disa faktorë që ndikojnë tek një person kur infektohet nga Covid-19.

“Sidomos nga doza virale me të cilën infektohen pacientët, nëse është një i sëmurë me sëmundje shoqëruese, nëse është një i sëmurë në trajtim. Nëse është një person i cili është paraqitur vonë klinikisht.”

E ndërsa parashikimet flasin për rritje të rasteve dhe fataliteteve me afrimin e dimrit, mjekja shprehet se asgjë nuk është e sigurt, pasi dhe parashikimet se vera do të ulte përhapjen e virusit, dështuan.

Tv Klan