Që prej vitit 2017, kampionia Luiza Gega ka hapur akademinë e saj të atletikës ku fëmijë të moshave të ndryshme i përkushtohen disiplinave të ndryshme të këtij sporti. Atletja shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se ka edhe fëmijë që e zhvillojnë paralelisht me sporte të tjera duke ndihmuar performancën e tyre. Ajo ndan në program gëzimin që ndien kur i drejtohen si “zysh Luiza” dhe kjo çoi natyrshëm drejt pyetjes nëse është tërhequr nga sporti.

Aldo: Po ti e ke lënë sportin që angazhohesh me gjithë këtë?

Luiza Gega: Tani kjo është diçka e vështirë qoftë për t’u pranuar… unë në fakt për momentin…

Aldo: S’e thua me zë.

Luiza Gega: Ngushëlloj ndoshta veten që kam marrë thjesht një periudhë pauze qoftë për të reflektuar, për të menduar se çfarë do të bëj në të ardhmen.

Aldo: Nuk e thua me zë, por…

Luiza Gega: Sepse gjithmonë ndoshta them mund të rikthehem, mund të rikthehem ndoshta me garat e rrugës.

Kampionia e Europës nuk e fshehu dot edhe ndjesinë e vështirë të largimit si sportiste aktive duke marrë tanimë statusin e trajneres.

Luiza Gega: Më mungon në fakt kjo pjesa e emocioneve, kompeticionet sepse kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime duke ia dedikuar 24 në 24 dhe është e vështirë kur një sportist është mësuar gjithmonë me emocione shumë të mëdha, me adrenalinë shumë të madhe dhe e ka shumë të vështirë këtë pjesën e kapërcimit që ti duhet të bëhesh gati që karriera jote nuk është si shumë karriera të profesioneve të tjera./tvklan.al