Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale menjëherë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se kreu i qeverisë i ka dërguar një ofertë për ndryshimet elektorale.

Rama mohon që t’i ketë ofruar Bashës pozicionin e kryeministrit dhe vetë të bëhej President. Sipas kreut të qeverisë këtë gjë e vendos populli.

“Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas LB e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër, se paskam frikë nga humbja. Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat,e s’e bëj dot Lulin KM se s’jam Populli që e vendos këtë”.

Sa i përket koalicioneve zgjedhore, Rama shkruan se hapja e listave nuk e ndalon që ta bëjë koalicionin me LSI-në. Kreut të demokratëve i kujton marrëveshjen e 5 Qershorit dhe i bën thirrje që të mos bëjë kërcënime pasi mori çfarë deshi nga ajo.

“Sa për koalicionin me SHPK e LSI siç e quan LB, as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë! Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe,e lëri sharjet e kërcënimet,sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje”, shkruan Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi këtë të premte se Rama i ka dërguar oferta për të hequr koalicionet.

“Për një muaj Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij duke thënë ti Kryeministër, unë President, vetëm të heqim koalicionet. Heqim koalicionet dhe ti Kryeministër dhe unë President”, tha Basha gjatë një deklaratë këtë të premte.